Prill 20, 2021 | Tuesday
Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi pesë vjet më parë, përveç krijimit të mundësive të reja për ekonominë e Kosovës, zbatimin e demokracisë dhe të tjera, synon të forcojë sundimin e ligjit dhe ta sjellë legjislacionin e Kosovës më afër atij të Bashkimit Evropian. Pjesë e përmbushjes së këtij objektivi është edhe projekti Përkrahja e BE-së për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale në Kosovë, pasi garantimi i mbrojtjes së të drejtave intelektuale është pjesë e MSA-së, siç thuhet në nenin 77 të marrëveshjes.
Sistemi i pronësisë intelektuale (PI) luan rol të rëndësishëm në ekonomitë kombëtare, duke ofruar stimuj për të shpikur e krijuar; mbrojtja e krijuesve nga kopjimi i paautorizuar dhe mundësimi i një tregu efikas të transferimit të teknologjisë, si dhe krijimeve mendore. Ndërtimi i një sistemi të fortë të pronësisë intelektuale në Kosovë është thelbësor për mbështetjen e biznesit, përfshirë industritë kreative dhe ato tradicionale. Institucionet kryesore të përfshira janë agjencitë e pronës intelektuale dhe organet ligjzbatuese, të tilla si policia, doganat, inspektorët dhe gjykatësit dhe prokurorët.
Agjencia e Pronësisë Industriale (API), e cila është organ qendror administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është një nga përfituesit kryesorë të projektit. API është përgjegjëse për mbrojtjen ligjore të inovacionit, markës tregtare, dizajnit industrial, topografive dhe të tjera, që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, nënshkruese e të cilave është Republika e Kosovës.
Nezir Gashi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Pronës Industriale (API), thotë se mbështetja e marrë nga projekti IPR, ka qenë thelbësore për API-në. “Projekti të Drejtat e Pronësisë Intelektuale në Kosovë, i ka mundësuar agjencisë sonë që të rrisë kapacitetet në fushën e pronësisë industriale, pasi që ka ofruar trajnime të shumta për stafin tonë. Gjithashtu falë mbështetjes së tyre, kemi hartuar Ligjin për Patentat, Ligjin për Markën Tregtare, Ligjin për Dizajnin Industrial, Ligjin për Topografitë e Produkteve Gjysmëpërçuese dhe Ligjin për Sekretet Tregtare. Së bashku me mbështetjen e tyre, kemi përfunduar edhe koncept-dokumentin për Pronësinë Industriale, që i është dërguar qeverisë për miratim. Pjesë e projektit të mbështetur nga BE-ja është edhe ngritja e vetëdijes së ndërmarrjeve dhe publikut të gjerë për rëndësinë e Pronësisë Industriale, e për këtë qëllim është përgatitur një broshurë nga projekti” – shprehet Neziri.
Projekti i BE-së për Mbështetje të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale është projekt trevjeçar financuar nga Bashkimi Evropian, si dhe implementuar nga IBF (kompani konsulente ndërkombëtare), Projekti i cili filloi në qershor 2019, aktualisht është aktiv dhe pritet të përfundojë deri në tetor 2022.