Maj 28, 2021 | Friday

Intervista e muajit – Valton Marku

Për të kuptuar më shumë rreth projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” të mbështetur nga BE-ja, kemi intervistuar menaxherin e projektit, Valton Markun.

Çka është projekti Hapësirat Kulturore të Kosovës”?

“Hapësirat Kulturore të Kosovës” (HKK) është projekt që implementohet nga Anibar (Pejë) në partneritet me Lumbardhi (Prizren), 7 Arte (Mitrovicë) dhe Pogon (Zagreb). Projekti katër vjeçar, ka nisur që nga viti 2019 dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2022. Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është zhvillimi i modeleve të reja të qeverisjeve pjesëmarrëse mbi infrastrukturën publike, të cilat synohen të realizohen përmes partneriteteve publiko-civile, ndërsa avokimin ta bëjnë përmes Rrjeteve të Organizatave Kulturore (RrOK). Ndër të tjera, HKK ka tre shtylla:

  1. Fuqizimin e Rrjeteve të Organizatave të Kulturës në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë, si partnerë përfaqësues të autoriteteteve lokale në menaxhimin e infrastrukturës publike për kulturën dhe rininë;
  2. Të nxis hapjen dhe përfshirjen e komunave në planifikimin dhe menaxhimin e resurseve publike;
  3. Të rrit kapacitetet menaxhuese dhe programative të hapësirave ekzistuese civile, për të mirën e komunitetit lokal.

Meqë projekti aktualisht është duke hyrë në pjesën e dytë të vitit të tretë të zbatimit, bartësit e HKK kanë arritur që të rrisin dukshëm kapacitetet programative dhe kanë fuqizuar dukshëm Rrjetet e Organizatave të Kulturës, ndërsa janë rrugë të mirë për të nxitur hapjen dhe përfshirjen e komunave në raport me menaxhimin e resurseve publike, por edhe të rrisin kapacitetet menaxhuese kundruall këtyre resurseve.

Projekti parasheh aktivitete të ndryshme si diskutime publike, performanca muzikore, net poetike, dhe të tjera. Sa prej tyre keni arritur ti mbani/organizoni?

Me të filluar më 2019, projekti HKK ka arritur që në kuadër të programeve publike të realizojë deri më tani rreth 120 programe publike në hapësirat respektive të bartësve të kësaj iniciative, por edhe në hapësira të ndryshme publike në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë. Disa nga programet që ia vlenë të veçohen janë performancat muzikore në kuadër të Festivalit të 11-të të Filmit të Animuar Anibar, por edhe ngjarja kulturore “Nuit Blanche” e mbajtur në Prizren. Në kuadër të diskutimeve publike janë trajtuar tema të ndryshme me rëndësi shoqërore e kulturore, por edhe në cilësinë e folësve kanë marrë pjesë kuadro e profesionistë të shquar. Shumë autorë vendor e ndërkombëtarë, përgjatë netëve të poezive të tyre nga performues të ndryshëm kanë ngjallur diskutime e emocione, ndërsa dhjetëra muzikantë të rinj kanë pasur mundësi të shfaqin talentin e tyre në Pejë, Mitrovicë e Prizren. Retrospektiva e filma të ndryshëm janë mundësuar për herë të parë, ashtu sikurse për herë të parë është themeluar edhe klubi i filmit dhe i leximit brenda Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, nën siglen Kino Klubi “Jusuf Gërvalla”. Përkundër qindra aktiviteteve kulturore e shoqerore të realizuara përgjatë dy viteve, programet e mbështetura nga HKK kanë arritur të prodhojnë edhe jashtëzakonisht shumë cilësi.

Kino klubi “Jusuf Gërvalla”

Cili ka qenë ndikimi i këtyre aktiviteteve në arritjen e qëllimeve të projektit?

Duke marrë parasysh kohëzgjatjen e projektit, aktivitetet e realizuara kanë ndërtuar përgjatë viteve përfundime të cilat në masë të madhe i janë afruar qëllimeve përfundimtare të projektit. Në kuadër të programeve publike, pas mbështetjes nga HKK janë futur brenda programeve të rregullta të Kinema “Jusuf Gërvalla”, Kino Klubi dhe Netët e Poezisë, gjë që dëshmon përparim në aspektin e zhvillimit programativ. Në anën tjetër, Rrjetet e Organizatave të Kulturës (RrOK) në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë, përveç se kanë krijuar strategji për rrugëtimin e tyre, kanë përparuar dukshëm edhe në aspektin e zgjerimit e fuqizimit. RrOK Peja së fundmi ka fituar një grant mbështetës nga një fondacion, RrOK Prizreni është regjistruar edhe formalisht, ndërsa RrOK Mitrovica është shtirë në formate të ndryshme jokonvencionale. Për një periudhë dy vjeçare, janë rritur ndjeshëm edhe takimet me zyrtarë të ndryshëm në nivel lokal dhe nacional, si dhe dukshëm është rritur edhe niveli i avokimit për krijimin e Fondit për Kulturë të Pavarur, duke u rritur kështu edhe iniciativat për krijimin e modeleve të ndryshme të partneriteteve publiko-civile.

Sa ka ndikuar pandemia në mbajtjen e këtyre aktiviteteve?

Pandemia me të ardhur tek pragu kishte krijuar shumë huti, mbase edhe e natyrshme për një fatkeqësi të këtyre përmasave globale, me të cilën ende po përballemi edhe sot. Siç mund të ndërmendim, aktivitetet kulturore janë në masë të madhe të zbrazëta po që se nuk shfaqen para publikut (të prekshëm). Hutia që na kishte kapluar në ditët e para të kësaj derxhe dukej se nuk do të kishte fund. Sidoqoftë, në pikun e kësaj situate, madje-madje pa u menduar dy herë ne u bëmë më fleksibil, duke e transferuar shumicën e programeve në formatin virtual, kështu duke e synuar një publik të ri, virtual. Përgjatë ditëve të izolimit ne prodhuam në formatin virtual mbi 30 aktivitete kulturore. Ani pse situata me Covid-19 ka bërë që ne të rimendojmë secilin funksion në realizimin dhe krijimin e artit e kulturës, një gjë ka rezultuar e saktë se: arti dhe kultura gjithmonë fitojnë. Transferimi virtual i aktiviteteve ka mbushur disi boshllëkun që e kishte krijuar dhe vazhdon ta krijojë distanca sociale. Nëse ndokush ka fituar kundër Covid-19, atëherë mund të themi me gojë plot se kanë fituar ato organizata, të cilat përkundër vështirësive kanë arritur të prodhojnë e ofrojnë art.

Cilat janë planet dhe aktivitetet për të ardhmen? Mendoni që projekti do të arrijë të jetë i vetë-qëndrueshëm?

Duke e gjykuar bilancin e deritanishëm, pra mesin e zbatimit të projektit, deri në fund HKK jep shpresë se do të të tejkalojë për mirë pritëshmëritë fillestare dhe do të jetë i vetëqëndrueshëm. Planet për këtë vit, por edhe për vitin e fundit të mbetur, ndërlidhen me krijimin e partneriteteve specifike publiko-civile, gjë që do të shënjonte hapje dhe përfshirje më të madhe të komunave në raport me hapësirat publike. Ndër tjera, në vazhdën e rritjes së kapaciteteve menaxhuese, planifikohet një vizitë studimore në Kroaci dhe disa punëtori. Një hulumtim që trajton hapësirat publike me potencial të transformimit në hapësira kulturore është në proces, ndërsa edhe disa video shpjeguese e infografika të kësaj natyre do të prodhohen. Ndërkaq, deri në fund, hapësirat kulturore që veç menaxhohen nga Anibar, Lumbardhi dhe 7 Arte, do të vazhdojnë të ofrojnë programe të larmishme kulturore dhe me rëndësi publike. Si rrjedhojë e kësaj, jetë më të pasur kulturore do të ketë edhe më tutje në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë.