Nga planet lokale për veprim deri te mbështetja praktike për gratë që përballen me diskriminim ose dhunë, Zyrtarët për Barazi Gjinore në mbarë Kosovën po ndihmojnë që politikat të shpien në ndërmarrjen e masave për mbrojtje të përditshme për qytetarët.
Në Komunën e Graçanicës, Marija Joksimoviq ka punuar me vite të tëra në qendër të kësaj përpjekje të mbështetur nga projekte të Bashkimit Evropian që synojnë forcimin e institucioneve lokale dhe përafrimin e Kosovës me standardet evropiane.
Kushtetuta e Kosovës garanton të drejta të barabarta dhe liri për të gjithë qytetarët, ndërsa Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi përmirësojnë zbatimin e këtyre parimeve. Por zbatimi i ligjeve për të sjellë ndryshime domethënëse shpesh ndodh në nivel lokal.
Për Joksimoviqin, këtu bëhet esencial roli i zyrtarit komunal për barazi gjinore.
“Mandati i zyrtarit për barazi gjinore përfshin monitorimin e zbatimit të politikave dhe ligjeve që lidhen me barazinë, propozimin e masave për përmirësim të mundësive të barabarta dhe për rritjen e vetëdijesimit në komunitet”, shpjegon ajo. “Kjo pozitë është shumë e rëndësishme në çdo organ të vetëqeverisjes lokale sepse siguron që nevojat e të gjithë qytetarëve të merren parasysh në mënyrë të barabartë gjatë marrjes së vendimeve dhe krijimit të politikave lokale.”
Forcimi i institucioneve lokale
Nuk është gjithmonë e lehtë të ruhet dhe forcohet roli i zyrtarëve për barazi gjinore, veçanërisht në komunat me resurse të kufizuara. Sipas Joksimoviqit, mbështetja ndërkombëtare – veçanërisht nga Bashkimi Evropian – ka qenë me rëndësi kritike.
“Mbështetja më e madhe sigurohet nga organizatat ndërkombëtare. Ato ofrojnë mbështetje teknike, trajnime, financim të projekteve dhe udhëzime për përmirësimin e politikave për barazi gjinore në nivel lokal”, thotë ajo.
Një shembull konkret është Plani Lokal i Veprimit për Barazi Gjinore 2024-2026 në Graçanicë, i zhvilluar me mbështetjen e BE-së përmes një projekti të zbatuar së bashku me UN Women.
“Me ndihmën e këtij Plani Lokal të Veprimit, u realizuan disa aktivitete në fushat e bujqësisë dhe arsimit, dhe ai mbulon të gjithë strukturën komunale”, vëren Joksimoviqi.
Përtej projekteve lokale, iniciativat e mbështetura nga BE-ja janë fokusuar edhe në forcimin e kapaciteteve institucionale. Trajnimi, programet e mentorimit dhe bashkëpunimi me ekspertë ndërkombëtarë u kanë ndihmuar zyrtarëve komunalë t’i kuptojnë dhe zbatojnë më mirë standardet evropiane në punën e tyre të përditshme.
“Aktivitetet e mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe të realizuara nga UN Women janë shumë domethënëse sepse kontribuojnë për forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e kornizës ligjore dhe ofrimin e mbështetjes konkrete për gratë në komunitet”, thotë ajo. “Ato gjithashtu ndihmojnë në përafrimin e praktikave lokale me standardet evropiane.”
Më shumë gra në udhëheqësi, por sfidat vazhdojnë
Joksimoviqi thotë se komuna e saj ka bërë përparim të dukshëm në rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita vendimmarrëse.
“Gratë aktualisht mbajnë pozita të rëndësishme në kuadër të administratës komunale, duke përfshirë pesë drejtori, si dhe funksione menaxhmenti në nivel sektori dhe departamenti”, thotë ajo.
Megjithatë, ajo paralajmëron se normat dhe stereotipet sociale vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen e plotë të grave në jetën publike.
“Edhe pse janë arritur disa rezultate, sfidat ekzistojnë ende”, thotë ajo. “Kjo është arsyeja pse komuna vazhdon të zbatojë politika dhe iniciativa që inkurajojnë barazinë, fuqizimin e grave dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në të gjitha segmentet e jetës publike.”
Mbështetja e viktimave dhe koordinimi i institucioneve
Zyrtarët për barazi gjinore luajnë rol të rëndësishëm edhe duke u ndihmuar qytetarëve të kenë qasje në mekanizmat për mbështetje dhe mbrojtje.
“Qytetarët mund të parashtrojnë kërkesa në situata kur mendojnë se i kanë diskriminuar në baza gjinore, kur kanë nevojë për mbështetje në lidhje me të drejtat e barazisë gjinore, ose në raste të dhunës ose trajtimit të pabarabartë në institucione”, shpjegon Joksimoviqi.
Me rritjen viteve të fundit të rasteve të raportuara të dhunës në familje dhe në baza gjinore në Kosovë, koordinimi ndërmjet institucioneve është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm.
Kjo punë kërkon bashkëpunim të ngushtë midis komunave, qendrave për punë sociale, policisë, shkollave, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Zyrtarët për barazi gjinore luajnë rol kyç në koordinimin ndërmjet institucioneve dhe ofrimin e mbështetjes për viktimat,” thotë ajo. “Kontributet e tyre bëjnë që të përmirësohen parandalimi, informimi i qytetarëve dhe referimi i viktimave pranë shërbimeve adekuate për mbrojtje.”
Kur dorëzohen ankesa, zyrtarët mbledhin dokumentacion, i referojnë rastet në institucionet kompetente dhe monitorojnë procedurat e përcjelljes.
“Zyrtari për barazi gjinore monitoron procedurat, jep rekomandime dhe punon për t’i parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen”, thotë Joksimoviqi.
Përmes mbështetjes për planet lokale të veprimit, reformave institucionale dhe trajnimeve, Bashkimi Evropian vazhdon t’u ndihmojë komunave në Kosovë ta forcojnë barazinë gjinore dhe t’i kthejnë masat mbrojtëse ligjore në mbështetje praktike për qytetarët.