Publikuar më 26 maj 2026
Gazetaria si thirrje: nga Kosova në zemër të institucioneve evropiane
Gazetaria si thirrje: nga Kosova në zemër të institucioneve evropiane
VERSIONI I KONSOLIDUAR I TRAKTATIT PËR BASHKIMIN EVROPIAN

NENI 2
Bashkimi ka në themel vlerat e respektimit të dinjitetit të njeriut, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Këto vlera janë të përbashkëta për Shtetet Anëtare në një shoqëri në të cilën mbisundon pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia midis grave dhe burrave.

Sot që vlerat evropiane si respektimi i dinjitetit njerëzor, demokracia dhe liria e shprehjes janë më të rëndësishme se kurrë, gazetaria nuk është thjesht profesion, por edhe mision. Gjeraqina Tuhina e jeton çdo ditë këtë të vërtetë. Puna e saj si gazetare i ka njoftuar gjenerata të tëra me vlerat që përfaqëson Evropa, prandaj Europe House Kosovë beson se e meriton të vlerësohet.

Rrëfimin për jetën e saj Gjeraqina Tuhina e fillon me një fjali që ia përshkruan rrënjët: “Jam lindë në Prishtinë, jam e Prishtinës”. Edhe pse ka jetuar në Bruksel më shumë se dy dekada, prej nga ka mbuluar çështjet e BE-së, lidhja e saj me qytetin ku u rrit mbetet e fortë.
E rritur në kushtet e vështira të Kosovës të viteve 1990, ajo ende i bart gjurmët e lëna nga ato vite. Studimet i nisi në Fakultetin e Drejtësisë, e frymëzuar nga babai i saj, përpara se ta gjente veten në gazetari. “U dashurova me gazetarinë”, tregon ajo, pas krijimit të raporteve të afërta me redaksinë e revistës Koha dhe frekuentimit të një kursi të organizuar nga Veton Surroi.

Për të, gazetaria është më shumë se thjesht punë. “Gazetaria nuk është profesion, është dashuri... po i hyre, duhet t’ia hysh me gjithë zemër”. Këtë e ka vërtetuar që herët, duke raportuar nga terreni gjatë disa prej ngjarjeve më të rënda në historinë e afërt të Kosovës, para se karriera e saj ta shpinte drejt Evropës.
Në pranverën e vitit 2000 u transferua në Bruksel ku ia nisi punës pranë Radio Evropa e Lirë, ndërsa dhjetë vjet më vonë filloi të shërbejë edhe si korrespondente e lartë e RTK-së nga kryeqendra e BE-së. “Idenë e kisha të qëndroja gjashtë muaj apo një vit dhe të rikthehesha në Kosovë”, i kujtohet. Por puna që filloi si detyrë e përkohshme u shndërrua në kapitull të gjatë të jetës dhe karrierës së saj, duke ndihmuar që publiku i Kosovës të informohet rreth BE-së.

Tranzicioni ishte i fortë. Ajo ishte mësuar me gazetarinë e mbingarkuar dhe me rrezik të lartë, ndërsa në Bruksel e gjeti veten në një mjedis plot rregull, ku gjithçka shpalosej përmes dokumenteve zyrtare, konferencave për shtyp dhe procedurave zyrtare. “M’u desh kohë ta mësoja terminologjinë, të kuptoja dallimet ndërmjet institucioneve dhe veçanërisht të kuptoja çka thuhet ndërmjet rreshtave”, rikujton Tuhina. Viti i parë ishte më i vështiri, por gradualisht ajo arriti të integrohet dhe ta kuptojë si funksionojnë media dhe diplomacia në një kontekst evropian.

Puna në Bruksel i ofroi edhe diçka që nuk do të kishte mundur ta fitonte nga distanca: qasje të drejtpërdrejtë tek vendimmarrësit evropianë. Figurat që ajo dikur i shihte vetëm përmes ekranit, u kthyen në persona që mund t’i pyeste drejtpërdrejt për vendimet që e preknin rajonin. “Kjo më ndihmoi ta kuptoj më mirë ‘panoramën e përgjithshme’”, shprehet ajo, duke shpjeguar se vendimmarrja e BE-së shpesh nuk është lineare dhe kërkon angazhimin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

“Të qenurit grua nga Kosova”, thotë ajo, “ka qenë njëkohësisht sfidë dhe pikë e fortë e imja”. Duke ardhur nga një vend që vuante pasojat e një historie të afërt komplekse dhe të trazuar, nëpër korridoret e BE-së ajo vëren gjëra që të tjerëve mund t’u shpëtojnë, veçanërisht kur bëhet fjalë për drejtësinë dhe tranzicionin. Njohuritë e saj gjuhësore dhe për kontekstin rajonal kanë qenë avantazhi i saj në punën e raportimit.
Ajo beson se gazetarët nga Kosova dhe rajoni sjellin diçka ndryshe në raportimin evropian: ata e kanë jetuar vetë tranzicionin dhe shtetndërtimin, dhe kjo shihet në mënyrën si i tregojnë storjet. Nga pozita e saj si grua në këtë fushë, ajo vëren përparim, por edhe është e vetëdijshme se barrierat nuk janë zhdukur. “Gratë janë më të pranishme dhe më të dukshme, por ende ekzistojnë pengesa, shpesh në forma më subtile”, shprehet ajo.

Por nuk do të kishte portret më të saktë të Tuhinës sesa ngjarjet e 22 marsit 2016. Ishte nisur rrugës për në spital ku do të lindte djalin, veç kur dëgjoi se në Bruksel kishin ndodhur sulme terroriste. E nuk kishte si të mos ndizej instinkti i saj profesional. I pyeti mjekët a mund të shtyhej pak lindja. E veshur me këmishë spitalore, u lidh live me telefon me Radio Televizionin e Kosovës (RTK) për një transmetim special. “E bëmë live përmes telefonit”, tregon ajo. Lindja, e planifikuar për në orën 10 të mëngjesit, u shty deri në mesditë.
“E kam thirrje... e kam të shenjtë”.

Edhe pas më shumë se dy dekadash, punën ajo vazhdon ta shohë si mision jetësor. Nëse e pyet a ia ka vlejtë rrugëtimi i saj në gazetari, të përgjigjet me bindje:
“Po, ia ka vlejtë”.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.