Publikuar më 26 qershor 2026
Historia ime, dinjiteti im
Historia ime, dinjiteti im
Kur shërbimet shkojnë tek ata që nuk munden
Nuk i kanë krejt në Kosovë mundësitë të kërkojnë ndihmë. Shumë gra dhe vajza me aftësi të kufizuara, si dhe nëna vetëushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara, përballen me vështirësi në qasjen në shërbime mbështetëse, shkaku i sfidave të lëvizshmërisë, informacionit të kufizuar, distancës nga institucionet dhe disponueshmërisë së pamjaftueshme të shërbimeve të specializuara. Për pasojë, shumë gra mbeten të izoluara larg mekanizmave mbështetës të destinuar për mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së tyre.

Në shumë familje në Kosovë, gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, si dhe nënat vetëushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara, përballen me dhunë në baza gjinore, diskriminim, varfëri dhe mungesë të qasjes në shërbimet themelore të përditshme. Për shumë prej tyre, institucionet janë të largëta, si fizikisht ashtu edhe emocionalisht.

Është pikërisht ky realiteti në të cilin u zhvillua intervenimi i iniciativës 3-vjeçare të financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti “Historia ime, dinjiteti im”, i zbatuar nga viti 2023 deri në fund të vitit 2025, ka punuar me gra dhe vajza me aftësi të kufizuara dhe nëna vetëushqyese të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të mbijetuara të dhunës ose që janë përballur me diskriminim të vazhdueshëm. Projekti u ndihmoi 193 përfitueseve, duke forcuar qasjen e tyre në të drejta, shërbime dhe mundësi. Mes tyre ishin 40 nëna vetëushqyese dhe 149 gra dhe vajza me aftësi të kufizuara nga komunitete të ndryshme, duke përfshirë gra shqiptare, serbe dhe rome të Kosovës.

I financuar nga Bashkimi Evropian, projekti u zbatua nga Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve – HANDIKOS Gjilan, në partneritet me Inkluzioni, Handikos Ranillug/Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara Ranillug dhe Qendrën për Inovacion dhe Zhvillim.

Sipas Blerta Bajramit, punëtore sociale pranë HANDIKOS Gjilan, një komponent kyç i projektit ka qenë klinika mobile, e cila i ka sjellë shërbimet drejtpërdrejt tek përfitueset: mbështetje sociale, psikologjike dhe juridike, shërbime infermierie, barna dhe transport për kontrolle mjekësore.

“Kemi punuar me persona në kushte jashtëzakonisht të vështira socio-ekonomike”, shpjegon Bajrami. “Shumë përfituese i shpenzonin pothuajse të gjitha të hyrat e tyre për barna. Projekti ka mbuluar kostot për barnat dhe kjo ua ka lehtësuar jetën.”

Një nga gratë që përfituan nga ky projekt është Hanumshahe Pajaziti nga Gjilani, nënë e tre fëmijëve, njëra prej të cilëve me aftësi të kufizuara. “Shpenzoja rreth 140 euro në muaj vetëm për barnat e vajzës”, thotë ajo. “Dita kur më treguan se barnat do t’i pranoja falas, ishte një nga ditët më të lumtura për mua.”

Përtej asistencës materiale, projekti u ka ndihmuar grave edhe të mësojnë rreth të drejtave të tyre ligjore dhe të fitojnë qasje në shërbime psikologjike falas, të cilat përndryshe do të kishin qenë të padisponueshme për shumë prej tyre.

Projekti u shoqërua edhe me botimin “Historia ime, dinjiteti im”. Me autorësinë e Shqipe Pajazitit, libri është një përmbledhje e dhjetë dëshmive personale nga gra dhe vajza me aftësi të kufizuara dhe nëna vetëushqyese. Storjet ofrojnë një portretizim të sinqertë të jetëve që shpesh nuk u dëgjohet zëri, duke vënë në pah dinjitetin dhe forcën e këtyre grave.

Në thelb, “Historia ime, dinjiteti im” ka ngritur një model të thjeshtë, por jetësor: t’u sjellë shërbime atyre që nuk munden të arrijnë tek institucionet, duke ofruar jo vetëm ndihmë, por edhe dinjitet dhe ndjenjën se dikush po i dëgjon.

Përtej adresimit të sfidave të ngutshme, projekti kontribuoi në rritjen e vetëdijesimit publik për barrierat që vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në jetën sociale, ekonomike dhe publike.

Përmes mbështetjes së vazhdueshme për përfshirjen, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e komunitetit, Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj përmirësimit të jetëve të qytetarëve në mbarë Kosovën, duke e riafirmuar pozicionin e tij si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës për avancimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, të barabartë dhe reziliente.

Më të rejat nga blogu

Lajmet më të fundit, intervistat, teknologjitë dhe burimet.