Rrugëtim personal me Young Cell Scheme Djellza Ibrahimi, përfituese e YCS-së
"Gjërat e mira u vijnë atyre që presin, por gjërat më të mira u vijnë atyre që dalin dhe i marrin ato", është një thënie sipas së cilës jetoj dhe e cila e mbërthen saktësisht arsyen pse kam aplikuar në Young Cell Scheme.
Young Cell Scheme (YCS) është një i program i bursave për gradën master që bashkëfinancohet nga BE-ja dhe Qeveria e Kosovës, i hartuar për ta mbështetur reformën e administratës publike në Kosovë si dhe për ta përafruar atë me praktikat më të mira evropiane. Çdo raund, e deri më tani kanë qenë 16 sosh, shënjestron fusha specifike bazuar në nevojat institucionale, ndërsa procesi i aplikimit kalon nëpër një shprehje fillestare të interesit, një provim me shkrim dhe një fazë të intervistimit. Kur aplikova, kisha diplomuar dhe kisha marrë një diplomë Bachelor në Administratë publike, Shkenca politike dhe Diplomaci. E dija se doja të specializohesha më tej, konkretisht në diplomaci publike dhe kulturore, ndërsa një diplomë masteri më dukej si hapi i duhur i radhës.
Interesimi im për diplomacinë publike nuk ishte thjesht akademik. Për afro gjysmë dekade, kisha qenë Ambasadore e Re Evropiane (YEA), një nismë vullnetare e themeluar në vitin 2020, si pjesë e Programit Rajonal të Komunikimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Nëpërmjet kësaj përvoje, arrita të kuptoja se sa jetike është diplomacia publike për të ndikuar në një ndryshim në shkallë më të gjerë. Është diçka që mua më duket vërtet e jashtëzakonshme: Bashkimi Evropian e formësoi interesimin tim për diplomacinë publike përmes rrjetit YEA e pastaj, përmes YCS-së, m’i dha mjetet për ta ndjekur atë.
Me sukses i përfundova të gjitha fazat e procesit të përzgjedhjes dhe u rendita e para në mesin e të gjithë kandidatëve në çdo sektor gjatë raundit kur aplikova. Ky rezultat më dha lirinë që ta zgjidhja cilindo program akademik brenda BE-së, ndërsa unë e zgjodha njërin nga universitetet e pakta që ofronin master të dedikuar në diplomaci publike dhe kulturore. Në tetor të vitit 2025, u shpërngula në Romë, Itali, për t’i nisur studimet e mia atje.
Përvoja ishte transformuese. Ndoqa ligjërata nga ekspertë kryesorë, nga njerëz, emrat e të cilëve i kisha hasur në tekstet shkollore, vizitova institucione të tërë fushës dhe takova kolegë me prejardhje të ndryshme, të cilët e sfiduan dhe zgjeruan mënyrën time të të menduarit. Ishte pikërisht lloji i mjedisit që e kisha kërkuar.
Ajo që e bën YCS-në veçanërisht të veçantë është ajo që vjen më pas. Pasi diplomova, u ktheva në shtëpi dhe m’u caktua një rol që lidhej drejtpërsëdrejti me fushën time të studimit. Që nga nëntori i vitit 2025, kam shërbyer si Zyrtare e Lartë për Diplomaci Kulturore dhe Sportive në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Është privilegj të sjell njohuri të freskëta dhe përvojë të drejtpërdrejtë në një rol në të cilin e di se puna ime i kontribuon diçkaje më të madhe se unë.
Përtej vetë bursës, YCS-ja më ofroi mbështetje të vazhdueshme, një komunitet kolegësh të motivuar dhe një shteg të qartë kthimi në shërbimin publik. Pa hezitim do t’ia rekomandoja këtë mundësi kujtdo që është i vendosur ta ndjekë arsimin e lartë dhe që do që këtë arsimim ta përkthejë në kontribut kuptimplotë në vendin e tij.