Kur informimi bëhet fushëbetejë: Dezinformimi gjatë zgjedhjeve në Kosovë
Gjatë periudhave zgjedhore, roli i informimit bëhet edhe më esencial për funksionimin e demokracisë, por njëkohësisht cënueshmëria ndaj manipulimeve rritet. Në Kosovë, zgjedhjet e vitit 2025 treguan se sa lehtë mund të shtrembërohet realiteti nëpërmjet përmbajtjes që duket bindëse, por që nuk është e saktë.
Bashkimi Evropian në Kosovë ka luajtur rol kyç në trajtimin e kësaj sfide, duke i mbështetur mediat e pavarura, nismat për verifikimin e fakteve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, si pjesë e përkushtimit të gjerë ndaj zhvillimit demokratik dhe rrugëtimit të Kosovës drejt integrimit evropian.
Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, Hibrid.info, me mbështetjen e BE-së në Kosovë, publikoi raportin me titull: “Rezilienca ndaj dezinformatave gjatë periudhës zgjedhore n Kosovë”, , në të cilin është analizuar dezinformimi gjatë zgjedhjeve lokale dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura midis tetorit dhe dhjetorit të vitit 2025.Ky raport shkon përtej një përmbledhjeje statistikore: ai e ofron një pamje të qartë se si informimi - shpesh edhe dezinformimi – e formëson perceptimin publik në momente demokratike tejet të rëndësishme.
Përgjegjësi e përbashkët
Lufta kundër dezinformimit nuk është vetëm çështje rregullash apo mekanizmash institucionalë.
Siç theksoi Shefja në Detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, gjatë promovimit të këtij raporti, për këtë kërkohet “një përpjekje kolektive, institucione të fuqishme, media të pavarura dhe të përgjegjshme, nisma aktive për verifikim të fakteve dhe qytetarë të informuar”.
Dhe kjo ndodh sepse një demokraci funksionale fillon me informim të besueshëm.
Drejt një hapësire më rezistente të informimit
Ky raport përbën hap të rëndësishëm drejt të kuptuarit dhe trajtimit të dezinformimit në Kosovë.Në të vihet në pah se nga tetori deri në dhjetor të vitit 2025, hapësira informative e Kosovës është karakterizuar nga një vëllim i lartë i përmbajtjeve politike. Në këtë aspekt, në raport identifikohen forma të përsëritura të dezinformimit që janë përhapur me shpejtësi, posaçërisht në mediat sociale.
Në mesin e më shumë se 7,000 publikimeve të monitoruara, përmbajtja e dhjetëra artikujve ka qenë e lidhur drejtpërsëdrejti me zgjedhjet, çështjet ndëretnike dhe ndikimin e jashtëm në hapësirën informative.
Çfarë bie në sy nuk është vetëm vëllimi, por edhe mënyra se si një përmbajtje e tillë amplifikohet, shpesh nëpërmjet mediave sociale, ku një rrëfim i vetëm mund të replikohet dhe të arrijë te mijëra përdorues brenda pak minutash.
Nga lajmet e rreme te përmbajtja e gjeneruar nga inteligjenca artificiale
Gjetjet e raportit tregojnë se dezinformimi gjatë zgjedhjeve nuk është fenomen i ri, por format e tij janë duke evoluar.
Lajmet e rreme dhe sondazhet e sajuara mbeten ndër formatet më të zakonshme. Deklaratat e paverifikuara dhe titujt sensacionalë përdoren shpesh për të tërhequr vëmendje dhe për të ndikuar në opinionin publik.
Megjithatë, ajo që e dallon këtë periudhë është përdorimi në rritje i përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Videot dhe imazhet e manipuluara,që shpesh perceptohen si reale,po bëhen mjete të fuqishme për formësimin e opinionit publik.
Në një mjedis të tillë, vija ndarëse ndërmjet realitetit dhe trillimit bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u dalluar.
Narrativa me origjinë nga jashtë
Një dimension tjetër i rëndësishëm i raportit është ndikimi i jashtëm në hapësirën informative, që njihet si Manipulimi dhe Ndërhyrja e Huaj në Informacion (FIMI).
Në raport theksohet se disa mediat serbe dhe ruse në gjuhën serbe kanë përdorur narrativë që synon të ndikojnë në diskursin publik dhe ta rrisë polarizimin, veçanërisht në çështjet ndëretnike dhe të sigurisë. Brenda këtij konteksti, zgjedhjet janë portretizuar si procese jodemokratike, duke hedhur dyshime mbi legjitimitetin e institucioneve të Kosovës. Përveç kësaj, janë identifikuar përmbajtje që synojnë të ndikojnë në vendimet zgjedhore të komunitetit serb në Kosovë.
Kjo e vendos dezinformimin përtej një çështjeje lokale, duke e shndërruar atë në një sfidë më të gjerë për stabilitetin dhe sigurinë demokratike.
Institucionet përballë një realiteti të ri
Diskutimi pas publikimit të raportit nxori në pah një realitet të përbashkët për institucionet: dezinformatat përhapen më shpejt se që mund të demaskohen.
Përfaqësuesit institucionalë theksuan sfida siç janë:
- identifikimi i profileve anonime;
- reagimi ndaj përmbajtjeve virale në kohë reale;
- rregullimi i një hapësire digjitale që po evoluon vazhdimisht.
Megjithatë, porosia që doli ishte e qartë: zgjidhja nuk qëndron vetëm në ndërhyrjen institucionale. Ajo kërkon një qasje gjithëpërfshirëse shoqërore, të ndërtuar mbi bashkëpunim, institucione të qëndrueshme, media të lira, edukim, verifikim aktiv të fakteve dhe qytetarë të informuar, për të mbrojtur procesin demokratik, për të forcuar besimin publik dhe për të ruajtur integritetin e hapësirës së informacionit.