Janar 5, 2023 | Thursday

Gjenerata e tretë e Ambasadorëve të Rinj Evropianë – mezi i presin aktivitetet e vitit 2023

Teksa ia dhanë lamtumirën një viti tjetër të suksesshëm plot aktivitete dhe miqësi të reja, Ambasadorët e Rinj Evropianë e përqafuan vitin e ri 2023 me plot pritshmëri, angazhime dhe përgjegjësi.

Duke qenë Viti Evropian i Rinisë, viti 2022 ishte i mbushur plot me aktivitete për Ambasadorët e Rinj Evropianë. Pjesëmarrja në ngjarjet rajonale dhe evropiane për rrjetëzim si EU4Youth Days 2022 , Forumi Rinor Ballkanik i BE-së, Festivali i Trafikut Ballkanik e të tjera, si dhe takimet me ambasadorët dhe zyrtarët e lartë të vendeve anëtare të BE-së, ishin vetëm disa nga ngjarjet e rrjetëzimit ku morën pjesë ARE-të nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor. Ngjarjet dhe fushatat e tjera përfshin pastrimin e liqenit të Badovcit afër Prishtinës, punëtoritë e shkrim-leximit mediatik në Kosovë, takimet e mbajtura me të rinjtë në mbarë Kosovën e të tjera.

Viti 2022 shënoi edhe zgjedhjen e gjeneratës së tretë të Ambasadorëve të Rinj Evropianë nga Kosova. Nëntë aktivistë të rinj të zgjedhur nga Kosova janë të gatshëm për të hyrë në një rrugëtim të ri plot aktivitete, në Vitin Evropian të Aftësive.

Integrimi në BE, mbrojtja e mjedisit dhe të drejtave të njeriut, barazia dhe përfshirja sociale, janë vetëm disa nga arsyet për të cilat gjenerata e fundit e ARE-ve janë zotuar se do të punojnë dhe avokojnë në vitin 2023. Më poshtë janë deklaratat e tyre për temat me të cilat ata do të merren në vitin 2023.

“Të jesh një ARE do të thotë të jesh përgjegjës për t’i çuar përpara vlerat e Bashkimit Evropian në vendin tonë. Viti i ri 2023 do të jetë vit me sfida të reja dhe me shumë detyra për të mirën e komunitetit. Do të përqendrohem veçanërisht në fushën e integrimit evropian dhe të drejtave të njeriut”.

Ardit Berisha

“Fushat në të cilat besoj se do të kontribuoj fuqishëm në vitin 2023 janë integrimet evropiane, ekonomia, shëndetësia, të drejtat e njeriut si dhe arti dhe kultura. Këto fusha i shoh si panteonin e mirëqenies së përbashkët dhe mendoj se do të jem një vlerë e shtuar kur këto do të vlerësohen dhe trajtohen si tema”.

Arlind Hamza

“Në vitin 2023 planifikoj ta vazhdoj punën time në mbrojtjen e komuniteteve të cenueshme dhe në ofrimin e mundësive për ata që kanë nevojë për to. Do të punoj në mënyrë aktive për barazinë gjinore, parandalimin e dhunës dhe abuzimit dhe shërbimet e integrimit”.

Agmie Osmani

“Në vitin 2023 kemi shumë punë për të bërë për të mirën e të rinjve në vendin tim, konkretisht në fushën e integrimeve evropiane, lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe artit dhe kulturës. Besoj se fokusi im kryesor do të jetë në këto tri fusha”.

Besfort Spahijaj

“Për mua viti 2023 do të jetë vit i aktivizmit dhe punës së palodhur. Do t’u bashkohem nismave, protestave, projekteve dhe gjithçkaje që lidhet me mbrojtjen e të drejtave të njeriut; dhe do të avokoj sa më shumë që të jetë e mundur në vendin tim të punës, në fakultet dhe në shoqëri për ta ngritur vetëdijen për këtë kauzë”.

Donarta Fetahu

“Fokusi im në vitin 2023 do të jetë kryesisht në fushat e barazisë gjinore, artit, kulturës, teknologjisë, të drejtave të njeriut dhe mjedisit, sepse këto janë gjërat që gjithmonë kanë ngjallur diçka tek unë dhe për të cilat po përpiqem të luftoj!

Elienta Culaj

“Fushat e mia kryesore të veprimit në vitin 2023 do të jenë arsimi dhe integrimet në BE. Unë dua të kontribuoj për arsimin e qasshëm dhe mishërimin e vlerave evropiane në vendin tim”.

Taulanti Ferati

“Gjatë vitit 2023, si ARE, planifikoj të përqendrohem kryesisht në fushën e teknologjisë dhe ndikimin e saj në shoqëri. Do të punoj për angazhimin pozitiv, aktiv të të rinjve në platformat virtuale dhe për përhapjen e vetëdijes për tema të ndryshme të rëndësishme”.

Violë Maksuti

Shtëpia e Evropës në Kosovë do të vazhdojë të jetë ‘shtëpia’ e Ambasadorëve të Rinj Evropianë, duke i mbështetur ata në të gjitha aktivitetet e tyre gjatë vitit 2023. U urojmë atyre rrugëtim të suksesshëm plot me aktivitete, miqësi dhe rrjete të reja e shumë të tjera. Për të mësuar më shumë për rrjetit e ARE-ve, klikoni këtu!