Dhjetor 23, 2020 | Wednesday

Teuta Arifaj: Gjuha e urrejtjes në Kosovë dhe Ballkan

Padyshim që njëri prej grupeve më të papëlqyera dhe të sulmuara në diskursin shoqëror në Kosovë mbeten politikanët. Për më tepër, mospëlqimi ndaj politikanëve shtrihet në çdo nivel, pavarësisht moshës, gjinisë apo etnisë. Ajo që mbetet shqetësuese është gjuha e urrejtjes me të cilën shpesh sulmohen. Përpos ofendimeve të rënda ndaj politikanëve që i hasim në rrjete sociale apo debate televizive, edhe vetë politikanët shfaqin gjuhë të urrejtjes ndaj njëri-tjetrit.

Për fat të keq gjuha e urrejtjes nuk mbaron vetëm me politikanët e as në rrjetet sociale. Gjuhë të urrejtjes me baza seksiste, racore e nacionaliste, sharje e ofendime në Kosovë në përgjithësi hasim çdo ditë. Janë pjesë e përditshmërisë dhe tashmë një kohë të gjatë me praninë masive të mediave e rrjeteve sociale, kaherë i kanë tejkaluar kufijtë e hapësirave private.

Në ndërkohë, shtetet ballkanike ndonëse insistojnë në dallime, kanë shumë të përbashkëta. Të përbashkët e kanë edhe skenën shumë të pasur mediale dhe përdorimin masiv të internetit, ku si rrjedhojë edhe zgjerohet hapësira për t’u shprehur. Në mungesë të kontrolleve e ndëshkimeve, gjuha e urrejtjes është shndërruar në ‘normalitet të ri’. Dukuria është thellësisht e rrënjosur në shoqëritë e secilit shtet ballkanik, dhe nuk fillon e as mbaron në Kosovë.

Në Serbi dhe Kroaci, shqetësuese mbetet gjuha e urrejtjes me bazë nacionaliste. Gjendja në media dhe gjuha e urrejtjes në Serbi në hulumtimet dhe analizat e shumta që janë bërë ndër vite, del se është më e rëndë krahasuar me të gjitha shtetet tjera Ballkanike. Gjuha e urrejtjes në mediat serbe është marrë me shkas meqë paraqet njërën prej fushave kryesore ku secili mund të shajë e ofendojë pa i dhënë përgjegjësi askujt.

Por kur flasim për gjuhën e urrejtjes në mediat kosovare, të njëjtat mund të jenë krenare meqë e respektojnë standardin e pashkruar të respektimit të të drejtave të komuniteteve në vend dhe në asnjë rast nuk përdoren terme pezhorative ndaj tyre. Për fat të keq e njëjta nuk vlen edhe për aspekte të tjera. Mediat kosovare shpesh nuk e dallojnë gjuhën seksiste e nganjëherë edhe bëhen katalizator të nxitjes së kësaj gjuhe, me tituj të pavend apo shkrime të cilat inkurajojnë diskriminimin e grave.

Urrejtje ndaj grupeve të caktuara të margjinalizuara në vend ka edhe në rrjete sociale. Komente që nxisin urrejtje zgjerohen edhe në bazë racore e sidomos në bazë të orientimit seksual. Komentet në rrjete sociale nga përdorues kosovarë nxisin edhe urrejtje fetare e etnike, dhe më shqetësuese është se kalojnë pa u ndëshkuar. Shoqërisë kosovare i mungon toleranca ndaj diversitetit, gjë e cila na shndërron në shoqëri paragjykuese.

Gjuha e urrejtjes parandalohet më së miri me vetëdijesimin e shoqërisë. Këtu rol kryesor do të duhej të kishin mediat, si mjeti më i qasshëm për opinionin e gjerë publik, por edhe organizatat joqeveritare. Po ashtu, peshë të madhe në parandalimin ose minimizimin e gjuhës së urrejtjes do të mund të kishin ndëshkimet nga organet e caktuara, pasi që rastet do të duhej raportuar në Polici. Si shembull i mirë do të mund të merreshin rregulloret e shumë shteteve evropiane, sidomos në fushën digjitale të internetit.

Teuta Arifaj, Redaktore e lajmeve në Kohavision