Prill 29, 2014 | Tuesday

SA E RËNDËSISHME ËSHTË PRONËSIA INTELEKTUALE NË KOSOVË?

Nga Luljeta PLAKOLLI-KASUMI

LL.M. në të Drejtat e Pronësisë Intelektuale

Zhvillimi ekonomik, më shumë vende pune dhe mirëqenia e konsumatorëve: këto janë tri gjërat primare që më vijnë në mendje kur mendoj se sa e domosdoshme është pronësia intelektuale në Kosovë. Katalogu i përfitimeve që buron prej një mbrojtje të fuqishme të pronësisë intelektuale për një vend është natyrisht më i gjatë, mirëpo për një vend të sapolindur, i cili ende nuk ka kremtuar përvjetorin e tij jubilar, këto janë tri gjërat më të rëndësishme me të cilat duhet filluar.

Para diku dhjetë vitesh, pronësia intelektuale ishte një territor i paprekur për shumë, për të mos thënë për të gjithë. Nuk ka qenë pjesë e kurrikulës arsimore, nuk ka pasur kurrfarë vendi në ndonjë iniciativë legjislative e as në ndonjë dokument politikash, nuk ka qenë askund në agjendën e qeverisë dhe pronësia intelektuale është përmendur shumë pak nga shoqëria civile. Çdo gjë ishte në formën e embrionit, duke pritur për t’u ndërtuar pjesë pjesë dhe si një enigmë, të gjejë vendin e saj në fotografinë e madhe të shtet-ndërtimit.

Brenda periudhës dhjetë-vjeçare (1994-2014) ka pasur zhvillime të konsiderueshme: së pari, janë përgatitur dhe aprovuar nga Kuvendi ligjet e ndërlidhura me pronësinë intelektuale, është krijuar infrastruktura institucionale, fillimisht me Zyrën e Pronësisë Industriale në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe më vonë me krijimin e Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit; është përgatitur një dokument strategjik për zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, i shoqëruar nga një plan veprimi, janë certifikuar shoqatat e para për administrim kolektiv nga Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe është aprovuar Strategjia kundër Falsifikimit dhe Piraterisë (2012-2016), e cila ka larguar nga tregu të gjitha CD-të dhe DVD-të pirate që përmbanin muzikë të huaj, filma dhe softuerë; dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale ka filluar të shënohet për çdo vit përmes aktiviteteve të ndryshme.

Mirëpo, a kanë sjellë të gjitha këto veprime të sipërpërmendura, të ndërmarra brenda këtyre dhjetë vitesh, zhvillim ekonomik, më shumë vende pune dhe mirëqenie të konsumatorëve? Jo, nuk kanë sjellë. Pse? Sepse na duhen edhe së paku dhjetë vjet të tjera për të arritur në atë pikë.

Kjo situatë varet prej disa faktorëve, pjesa më e madhe e tyre e natyrës politike (anëtarësimi në OKB, WIPO, WTO etj.) Përveç këtyre faktorëve të jashtëm, ekzistojnë shumë shkaktarë të brendshëm që mund dhe duhet të merren parasysh, në mënyrë që të përshpejtohen përpjekjet e vendit tonë për krijimin e një sistemi të fuqishëm për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Duhet të merren iniciativa plotësuese për të inkurajuar krijimin dhe shfrytëzimin e pronësisë intelektuale përmes për shembull, mësimit të njerëzve se si të fitohen para nga prona e tyre intelektuale, përmirësimi i sjelljes së përdoruesve kundrejt mbajtësve të së drejtave të pronësisë intelektuale, rritja e ndërgjegjshmërisë për të drejtat dhe obligimet e përbashkëta që rrjedhin prej pronës intelektuale dhe shumë të tjera. Duket se mungojnë këta hapa të vegjël ndihmues. Çdo gjë është në letër, në përputhje me atë që njihet si standard(e) ndërkombëtar(e) mirëpo në praktikë, shoqëria ende nuk e ka kuptuar rëndësinë dhe përfitimet e pronësisë intelektuale dhe derisa kjo të mos ndodh, çdo përpjekje tjetër do të jetë e pamjaftueshme.

Pronësia intelektuale nuk është e rëndësishme vetëm për arritjen e zhvillimit ekonomik, krijimin e vendeve të punës, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shumë përfitime të tjera; ajo është gjithçka. Është fillimi dhe fundi; gjendet në çdo gjë që themi dhe çdo gjë që bëjmë, prandaj duhet t’i jepet vëmendja e merituar. Urime Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale!