Tetor 9, 2022 | Sunday

Përmirësimi i sigurisë së furnizimit me energji në Kosovë – Lendita Gashi

Kosova është përballur me probleme me sigurinë e furnizimit me energji për shumë vite duke pasur parasysh infrastrukturën e vjetër të trashëguar nga regjimi i mëparshëm para vitit 1999 dhe mungesën e mirëmbajtjes së duhur gjatë dekadave. Sektori i energjisë kontribuon në gati 90% të emetimeve të gazeve serrë në vend. Përderisa rezervat e saj të linjitit janë të mëdha, Kosova nuk ishte në gjendje të ndërtonte një termocentral të ri. Termocentralet ekzistuese të linjitit (Kosova A dhe B) vazhdojnë të operojnë dhe ato furnizojnë rreth 90% të kërkesës në vend.

Të dy impiantet kërkojnë investime të mëdha për të përmbushur kërkesat e Komunitetit të Energjisë për reduktimin e emetimeve të pluhurit, NOx dhe SOx deri në vlerat kufi të përcaktuara në direktivat evropiane, por nevojiten edhe investime për të përmirësuar besueshmërinë e impianteve. Në të njëjtën kohë Kosova do të duhet të aplikojë mekanizmin e çmimit të karbonit i cili në afat të gjatë do të ndikojë në fizibilitetin e investimeve në termocentralet e linjitit.

Vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike në veçanti në familjet gjatë sezonit të kërkesës së lartë – dimrit për shkak të përdorimit të energjisë elektrike për ngrohjen e ambienteve. Kjo rritje e konsumit ka ardhur kryesisht nga tarifa e ulët e shitjes me pakicë e cila ka nxitur konsumatorët të kalojnë në përdorimin e energjisë elektrike për ngrohjen e ambienteve. Rritja e standardeve të efiçencës së energjisë dhe certifikimi i performancës energjetike të ndërtesave si dhe përdorimi i energjisë së rinovueshme është çelësi për reduktimin e konsumit në ndërtesa. Aktualisht blloqe të mëdha ndërtimi janë në ndërtim e sipër me pak kujdes për masat e efiçiencës së energjisë, shumica e ndërtesave me instalime ngrohjeje të bazuara në energji elektrike dhe pa përdorim të energjisë së rinovueshme. Politika të reja nevojiten urgjentisht për të stimuluar masat e efikasitetit të energjisë, duke përfshirë energjinë e rinovueshme, si energjia diellore, në konsumin e energjisë së ndërtesave. Ka instrumente financiare të disponueshme në treg nëpërmjet bankave komerciale, por është e nevojshme të ndihmohen edhe konsumatorët me të ardhura më të ulëta që të kalojnë në teknologji më efikase. 

Angazhimi i ndërmarrë si pjesë e Komunitetit të Energjisë për ndërtesat me energji pothuajse zero në ndërtesat publike por edhe private nuk ka nisur ende me zbatim. Një strategji për rritjen e investimeve në efiçencën energjetike të ndërtesave është kritike dhe më e vlefshme. Në terma afatgjatë, tranzicioni do të kërkojë shumë ndryshime në sistemin energjetik ku konsumatorët do të luajnë një rol aktiv. Qytetet duhet të zhvillojnë plane zhvillimi të qëndrueshëm me fokus në energjinë e pastër dhe transportin.

Rritja e furnizimit me ngrohje qendrore në konsumin e energjisë është gjithashtu e rëndësishme, ku është duke u zhvilluar një studim fizibiliteti i financuar nga BE-ja për zhvillimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në 8 qytete të Kosovës. BE-ja ka mbështetur me mbi 20 milionë euro shërbimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes bashkëfinancimit të lidhjes me termocentralin e kogjenerimit Kosova B dhe rehabilitimit të rrjetit, megjithatë rrjeti duhet të zgjerohet më tej në periferitë e reja. Në Gjakovë, termocentrali i financuar nga BE-ja me kogjenerim filloi funksionimin në vitin 2021. Impianti i ri djeg copat e drurit për të prodhuar ngrohje dhe pak energji elektrike. Sisteme të ngjashme mund të ndërtoheshin në disa qytete të tjera. Megjithatë, duhet të krijohet urgjentisht një zinxhir furnizimi i qëndrueshëm i biomasës për të inkurajuar investimet në impiante të tilla. Nevojitet një strategji për zhvillimin e një tregu të pastër gazi/hidrogjeni, duke përfshirë mundësinë e prodhimit vendas krahas importit.   

Strategjia e energjisë duhet të marrë parasysh angazhimet e marra në bazë të Marrëveshjes së gjelbër për Ballkanin Perëndimor që nënkupton kalimin gradual drejt energjisë së pastër, përkatësisht energjinë e rinovueshme, efiçencën e energjisë dhe largimin gradual të qymyrit.

Lendita Gashi – Menaxhere e programit për infrastrukturën energjetike, Zyra e BE-së në Kosovë